Ditët e fundit në Itali po flitet shumë për Luis Hasën, lojtarin me origjinë shqiptare që udhëhoqi Italinë U-19 drejt fitimit të Europianit. Lojtari i Juvetusit ishte më i miri në atë aktivitet, me 1 gol dhe 4 asiste, por edhe me një lojë brilante.
Duke bërë skanerin e Hasës, nuk mungojnë vlerësimet maksimale për aftësitë e Luis Hasës, që është në gjendje të luajë në disa role: numër 8, numër 10 dhe numër 7. Tipare që nuk i gjen në lojtarë të tjerë, për më tepër që ai vrapon pa fund. Të gjithë janë të bindur se me atë paraqitje Hasa ka fituar një vend në skuadrën e parë të Juventusit.
Në anën tjetër ka edhe një frikë për një kalim të mundshëm të këtij lojtari te Shqipëria.
Luis Hasa ka lindur në Itali, në Sora, më 6 janar 2004. Ka zgjedhur të përfaqësojë Italinë, por me rregullat e reja të FIFA-s ai ka të drejtë të luajë për Shqipërinë, vendin e origjinës, nëse dëshiron. Dhe italianët nuk duan që kjo të ndodhë, sepse do të humbnin një lojtar të çmuar.
Tashmë ka një merkato edhe për kombëtaret dhe Silvinjo me siguri është duke menduar për Luis Hasën këto ditë pushimesh. Pastaj është çështje tjetër, nëse ai dëshiron të ndryshojë fanellë apo jo.
Kujtojmë që më parë është përmendur edhe emri i Kristian Asllanit në Itali, për faktin që mund ishte vepruar në kohë që mesfushori të luante për ‘axurrët’. Asllani ka lindur në Elbasan, ndërsa në rastin e Hasës për kuqezinjtë mund të jetë pak më e vështirë, sepse ka lindur në Itali dhe mund të ndihet më shumë italian se shqiptar. Prindërit e lojtarit të Juventusit, Arbeni dhe Naiada, janë nga Peqini.
Sido që të shkojë, për Luis Hasën do të flitet shumë, si për çështjen e kombëtares, ashtu edhe për atë që ai do të bëjë në fushë. Ai është një talent i padiskutueshëm.