Aktualitet Luiz Ejlli dënohet me një vit burg nga Gjykata e Fierit

Luiz Ejlli dënohet me një vit burg nga Gjykata e Fierit

Gjykata e Fierit ka dënuar me një vit burg këngëtarin e njohur Luiz Ejlli.

Ai akuzohet për “falsifikim dokumentesh” gjatë periudhës që punonte si noter.

Sipas Prokurorisë, Ejlli ka noterizuar një deklaratë për të justifikuar pasuritë e paligjshme të një personi. Mësohet se ai e vulosi dokumentin me të dhëna të pavërteta edhe pse Ministria e Drejtësisë i kishte hequr licensën dhe më pas e dorëzoi në ish-Prokurorinë Lushnje.

Pavarësisht vendimit, çështja pritet të shkoje në Gjykatën e Apelit dhe nëse kjo e fundit konfirmon vendimin e dënimit, atëherë Luiz Ejlli duhet të vuajë një vit burgim për falsifikim dokumentesh.

Njoftimi:

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier kërkoi dënimin me 12 muaj burgim të ish-noterit L.E dhe shtetasit F.A. të akuzuar për kryerjen e veprës penale ‘Falsifikimi i dokumenteve’ kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 186, paragrafi 2 i Kodit Penal.

Skema është realizuar me qëllim justifikimin e burimit të pasurive të krijuara nga veprimtaria kriminale F.A të cilat ishin sekuestruar nga prokuroria në vitin 2021. Deklarata e falsifikuar noteriale është përdorur nga F.A në prokurori për të justifikuar pasuritë e tij.

Në kuadër të hetimeve të iniciuara nga ish Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Lushnjë mbi procedimit penal nr. 388, të vitit 2022, me të pandehur, shtetasit L.E dhe F.A., rezultoi e provuar se i pandehuri F.A., në bashkëpunim me të pandehurin L.E., ish-noter, kanë falsifikuar deklaratën noteriale, të cilën i pandehuri F.A. e ka përdorur në Prokurori, për të justifikuar burimin e krijimit të pasurive të tij, të sekuestruara në kuadër të hetimeve të procedimin pasuror nr. 3 të vitit 2021, të ish Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Lushnjë.

Deklarata noteriale e hartuar nga i pandehuri L.E., ishte falsifikuar në përmbajtjen e saj, por mbante nënshkrimin e këtij të fundit. U provua se, me të njëjtën datë, numër repertori e koleksioni që mbante kjo deklaratë noteriale, në regjistrin e ish noterit L.E. dhe në arkivën e akteve noteriale të hartuara prej tij, në vitin 2015, ekziston një deklaratë noteriale me palë të ndryshme.

Konkretisht, i pandehuri L.E, megjithëse i ishte hequr licensa nga Ministria e Drejtësisë, duke qenë ende në posedim të vulave të noterit, në bashkëpunim me të pandehurin F.A., kanë krijuar deklaratën noteriale me të dhëna të pavërteta, dhe më pas i pandehuri F.A., në datën 25.02.2022, e ka dorëzuar këtë deklaratë noteriale në ish-Prokurorinë Lushnjë.

Në datën 02.10.2024, Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka përfunduar shqyrtimin gjyqësor të çështjes dhe vendosur të deklarojë fajtor të pandehurit për faktin e dërguar për gjykim, si më poshtë:

– Deklarimin fajtor të të pandehurit L.E., për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i dokumenteve”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 186 prag.2, i Kodit Penal, dhe dënimin e tij me 12 (dymbëdhjetë) muaj burgim;

– Deklarimin fajtor të të pandehurit F.A, për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i dokumenteve”, kryer në bashkëpunim, dhe dënimin e tij me 18 (tetëmbëdhjetë) muaj burgim.

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, shpreh angazhimin e plotë për hetimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave që kryejnë vepra penale në fushën e falsifikimit të dokumentave, me qëllim realizimin e përfitimeve në mënyrë të paligjshme.