Luiza Gega nuk ishte në ceremoninë hapëse të Lojërave Olimpike, Paris 2024.
“Ishte një vendim i imi, kam qenë dy herë në lojëra olimpike, në Rio dhe në Tokio, ku kam qenë dhe flamurmbajtëse. E pashë nga TV, është më bukur ta shohësh nga TV më besoni. Është një lodhje për mua të rrija shumë gjatë, kështu që vendosa të mos shkoj aq herët, sepse unë e kam garën në datë 4 Gusht, kështu që i binte të shkoja 2 javë para dhe do ishte e lodhshme. Të paktën nga eksperienca që kam pasur. Unë nisem me datë 29, sot kam zbritur nga Korça, ku kam qenë përreth 1 muaj duke u stërvitur. Kështu që nisem pasnesër për në Paris”, tha Luiza Gega për Klan News.
Kampionia e Europës në garën e 3 mijë metrave me pengesa kritikoi flamurin që u mbajt nga ekipi shqiptar në ceremoninë hapëse të Lojërave Olimpike Paris 2024, mbrëmjen e së premtes në kryeqytetin francez.
Gega tha se flamuri ishte imitim kinez dhe nëse ajo do të kishte qenë flamurmbajtëse, nuk do të kishte pranuar që të parakalonte me atë flamur.
“Ajo që nuk më pëlqeu është se vura re që flamuri ynë nuk ishte siç duhej, shqiponja nuk ishte shqiponja e vërtetë, pra ishte ai imitimi kinez dhe kjo nuk më pëlqeu, sepse mendoj që unë të paktën nuk do ta kisha pranuar kurrsesi. Duhet pasur një kujdes shumë i madh kur bëhet fjalë aq më tepër për flamurin, sepse kjo është arsye përse ne shkojmë aty, të prezantojmë kombësinë nga vijmë, ngjyrat e flamurit, etj. Po të kisha qenë flamurmbajtëse nuk do të kisha pranuar kurrsesi që të parakaloja me një flamur që nuk është i duhuri”, tha Luiza Gega.