Edhe pse fillimisht Olta ka qenë mbështetëse e lidhjes Luiz-Kiara, dinamikat e lojës bënë që ajo të ndryshonte mendim. Një deklaratë e saj natën e parë të ‘Big Brother’, kur i thoshte Luizit se mund të gjente në shtëpi nënën e fëmijëve të tij, referuar Kiarës, është bërë viralë. E më pas ajo është shprehur se shkojnë bashkë dhe madje i ka ftuar edhe në Spanjë.
Por, nga ana tjetër, pak para daljes deklaroi se nuk kanë kimi dhe se lidhja e tyre nuk do zgjasë. Deklaratë që e ka përsëritur edhe ditën e sotme në ‘Wake Up’. Duke u ndalur tek propozimi për martesë që i bëri Luizi-Kiarës, ajo tha:
“Unë e kam thënë aty brenda që ata nuk kanë kimi dhe nuk e kanë shumë të gjatë. Vazhdoj ta mendoj kështu. Unë kam kursyer shumë njerëz, edhe Luizin. Prandaj ka kaq respekt për mua. Përtej lojës ne jemi njerëz. Unë e dija që ta komentoja këtë lidhje atij nuk i vinte mirë dhe prandaj nuk e kam cekur aty. Luizi ka qenë fokusi im dhe unë kam qenë fokusi i tij. Nuk më bëri përshtypje ky moment sepse e ka thënë prej muajsh. Kjo është fjongoja finale që i vuri marrëdhënies së tij brenda shtëpisë. Për mua e papritur ka qenë për Kiarën. Prandaj nuk e kam komentuar.”
Ajo foli edhe për komentet negative ndaj saj, duke e konsideruar të rëndë. Sipas saj, kjo ka ndodhur sepse ajo ka shfaqur një fuqi më të madhe nga sa ata donin.
“Më duket e pabesueshme që njerëzit të flasin me këtë lloj gjuhe për këtë reality show. Unë nuk e kam ndjerë shumë sepse kam qenë brenda, por kur dola jashtë e pashë që ishin përballur familja ime dhe partneri im me këtë. Të marrësh një feedback të tillë është e rëndë. Por falë Zotit dola në një periudhë që filluan të më donin. Unë kam bërë një analizë, ne si popull e kemi të vështirë të pranojmë dikë që mund të shfaqi një fuqi më të madhe sa ata duan. Unë nuk kisha nevojë për famën e “Big Brother”. Unë kështu kam qenë dhe papritmas hyj aty, ku ekspozimi është i madh, zhvishem nga çdo aureolë VIP-i. Dhe njerëzit thonë pse ka hyrë këtu, me siguri ka blerë çmimin. Dhe fillojnë të të urrejnë”.
E pyetur nëse është penduar që e la në mes rrugëtimin e saj, aktorja e mohoi diçka të tillë. Por, nënvizoi se ky ka qenë një nga vendimet më të vështira të jetës së saj.
“Nuk jam penduar. Nuk e kam lënë në mes, e kam çuar deri në fund. Kam bërë 100 ditë. Unë aq e kisha dhe në kontratë. Muaji i fundit ishte i paparashikuar. Unë ditët e fundit kam qenë duke marrë vendimin. 10 ditëshi i fundit ishte dyluftimi mes Oltës nënë dhe Oltës lojtare. Po më digjej shpirti të shkoja te djali dhe tek Dori. Pastaj doja që ta shtyja deri në fund e të luftoja. Ka qenë një nga vendimet më të vështira të jetës sime.”
Olta deklaroi se jeta pas BBV për të është shumë e vështirë sepse është në qendër të vëmendjes.
“Jeta pas “Big Brother” është e vështirë. Të dal në rrugë tani është një çmenduri. E kam përjetuar në 2008 këtë lloj fame kur luaja në teatër dhe njerëzit prisnin në radhë të bënin një foto me mua. Unë atëherë e kam përjetuar famën pa rrjete sociale. Ka qenë shumë e bukur dhe me presion. E njëjta gjë është dhe sot. Kam tentuar të shkoj disa herë në lokale dhe kanë ardhur shumë njerëz. Por e rëndësishme është që më thonë Olta Gixhari, jo Olta e “BBV”.”
E pyetur për projektet e reja, ajo tregoi se ka disa në plan. Olta tha se do jetë në Shqipëri për një periudhë kohe dhe pastaj do largohet sepse ‘do bëjë gocën’.
“Kam disa projekte dhe kontrata shumë të mira. Nuk mund t’i zbuloj tani, por do të jetë Top Channel që do t’i zbulojë i pari. Disa janë në bashkëpunim me Top-in, por ka dhe të tjera. Do të jem këtu për një farë kohe dhe pastaj do iki të zhdukem se do bëj gocën…”