Liga e Europës nën këmbët e Romelu Lukakut. Belgu ishte sërish protagonist, duke shënuar për Interin në fitoren e mbrëmshme 5-0 ndaj Shakhtarit. Së pari me të majtën, i nxitur nga Lautaro, pastaj me forcë dhe me të djathtën. Disa numra tregojnë pse sulmuesi në fjalë është vërtet “monstruoz”: Ishte goli i gjashtë në “Europa League”, pas atyre kundër Ludogorets (në shtëpi dhe larg), Getafe dhe Bayer Leverkusen. Tani, dy të tillë ndaj Shakhtar. Hapi tjetër…, Sevilla në finale.
“Ne duam të fitojmë, – tha belgu për “Sky”, – do të përgatitemi për finalen. Nëse më vjen keq për eleminimin e Manchester United? Ata bënë gjithçka për të arritur në finale, mbyllën një sezon të shkëlqyeshëm. Solskjer është trajner i mirë, Martial dhe Rashford janë të fortë, Greenwood është një i ri premtues. Shpresoj se do të mund të luajnë një sezon tjetër të shkëlqyeshëm”.
RONALDO – Zikaltrit sigurojnë finalen e “Europa League”, ndërsa Romelu ishte ylli i ndeshjes, duke përditësuar edhe rekordet. Ish-sulmuesi i “Djajve të Kuq” ka shënuar në 10 ndeshje radhazi të “Europa League”. Asnjë tjetër si ai (tejkaloi Alan Shearer, me gola në 8 ndeshje radhazi). Belgu ka 33 gola sezonalë me fanellën e Interit, vetëm një të tillë më pak se Ronaldo (Fenomeni), i cili në sezonin 1997-1998 e mbylli me 34 gola, duke fituar finalen e Kupës UEFA. Ishte viti i tij i parë me zikaltrit, që u mbyll me një trofe. 22 vite më vonë, Interi është përsëri atje. Më 21 gusht do të luajë finalen e “Europa League” kundër Sevilla, në Këln (ora 21:00).
REKORDI – Nuk ka mbaruar. Lukaku, me Shakhtar, ka rrumbullakosur 50 ndeshje me Interin në të gjitha garat. Rekord mes lojtarëve të Serie A në këtë sezon. Sa iu takon zikaltërve, ai është i pari që e arrin një “stacion” të tillë historik, të ngjashëm me sezonin 2010-2011. Para tij, vetëm kapiteni Javier Zanetti (52) dhe Samuel Eto’o (53) kishin luajtur më shumë ndeshje me Interin në një sezon.