Tjetër shfaqje mbresëlënëse e Lukakut. Një gol dhe rekord kundër Bayer Leverkusen. Belgu shënoi golin e tij të nëntë radhazi në “Europa League”. Alan Shearer ishte ndalur në tetë gola radhazi në këtë kompeticion. Pra, si Lukaku, askush dhe kurrë. Interi mundi gjermanët 2-1 dhe fluturoi në gjysmëfinale, ku do të ndeshet me fituesin e çiftit Basel-Shakhtar Donetsk. “Nuk është çështje rekordesh, ajo që ka rëndësi është fitorja”, – tha Romelu për “Sky Sport”. Belgu më pas zgjodhi njeriun e ndeshjes. Natyrisht, jo veten: “Unë them Barella (autor i golit 1-0). Në ndeshjet e fundit luajti shumë mirë, ka personalitet, është me të vërtetë një lojtar i shkëlqyeshëm”.
Në ndeshje teke, në Gjermani, Interi eleminoi Getafe dhe Leverkusen. Para kësaj, në përballjen e dyfishtë, ai kishte marrë më të mirën ndaj Ludogorets. Lukaku synon trofeun: “Fizikisht jemi mirë, mendërisht po rritemi, por duhet të bëjmë edhe më shumë. Deri në fund kemi kaluar nëpër vështirësi, por kemi fituar dhe kjo është e rëndësishme. Këtu janë të gjitha finale, ke vetëm një rast, është ndeshje teke. Do të më duhen këto ditë për t’u rikuperuar e bërë gati për gjysmëfinalen. Duhet të jemi gati për ta fituar trofeun”.
Një gol më shumë në vazhdim do të thotë një gol më pak se një tjetër rekord. Lukaku shënoi golin e tij të 31-të të sezonit, duke iu afruar 34 golave të shënuar nga Ronaldo (Fenomeni) në sezonin 1997-1998. Ai ishte viti i parë i brazilianit në Itali, që përfundoi me fitoren e Kupës UEFA (3-0 ndaj Lazio). Belgu, në Europë, shënon prej nëntë ndeshjesh radhazi. Ka edhe një pengesë për të kaluar në finale. Ose edhe dy mundësi për të shënuar gola të tjerë, në rastin më të mirë.