Sulmuesi i Interit, Romelu Lukaku, ka folur në një intervistë për “Sky Sport” për aventurën e tij në Milano. Zikaltrit po kalojnë një sezon të shkëlqyer, ku gjiganti belg është një nga arsyet e suksesit. Lukaku tregon ndryshimin mes seancave stërvitore mes United dhe Inter, si dhe përshtatjen e tij me futbollin italian.
“Më kujtohen javët e para këtu. Seancat stërvitore ishin ndryshe, unë nuk isha mësuar me atë përgatitje fizike. Unë kam luajtur në Premier League që të gjithë e dinë lojën fizike që zhvillohet atje, por askush nuk stërvitet kaq fort sa ne. Duhet të më besoni”, tregon Lukaku.
Ai tregon një prapaskenë edhe me Conte-n. “Trajneri më ka ndihmuar shumë. Conte gjithmonë ta thotë në sy nëse ke luajtur mirë apo keq. Në ndeshjen e parë në Champions kundër Slavia Prague, unë luajta shumë keq dhe ai më bërtiti përpara të gjithë ekipit. Kjo nuk më kishte ndodhur gjatë gjithë karrierës time. Ndërsa derbi me Milanin ka qenë ndeshje ime më e mirë deri tani. Trajneri më dha shumë besim dhe unë ia shpërbleva me atë gol. Nëse ti nuk i bën detyrat që ai të jep, atëherë ndeshjen tjetër nuk luan. I gjithë ekipi ka respekt për të. Është marrëdhënie reciproke”, tha sulmuesi belg.