“Patëm një javë të lirë në dhjetor. U kthyem dhe betohem që 23 lojtarë në 25 ishin të sëmurë”. Gjatë një bisede në Instagram me prezantuesen e gruan e Mertens, Kat Kerkhofs, Romelu Lukaku tregon një prapaskenë të rrezikshme gjithnjë në lidhje me virusin. “Nuk është shaka. Kemi luajtur në shtëpi kundër Cagliarit e pas 25 minutash Skriniar u largua nga fusha. Nuk mund të vazhdonte më dhe gati i ra të fikët. Të gjithë kolliteshin dhe kishin temperaturë. Kur bëra nxehjen, u ndjeva më i nxehtë se zakonisht. Nuk kisha temperaturë prej vitesh. Pas ndeshjes pati një tjetër darkë me të ftuarit e kompanisë Puma, por i falënderova dhe shkova u shtriva në shtrat. Nuk u testuam kurrë për virusin në atë moment, kështu që nuk do ta dimë kurrë me siguri.
Virusi është i frikshëm. Mamaja ime ka diabet. Kjo është frika ime më e madhe. Është mikesha ime më e mirë. Çdo katër orë e marr në telefon për ta pyetur nëse ka nevojë për ndonjë gjë. Sigurisht që më mungon më shumë djali, Romeo. Plani ishte të sillja mamanë dhe djalin tim në Itali gjatë epidemisë së koronavirus. Kam dy apartamente këtu, por natyrisht nuk ishte momenti për ta të ktheheshin”.