Kryesore Lulzim Basha reagon për financimin rus në PD në 2017

Lulzim Basha reagon për financimin rus në PD në 2017

Ish-kreu i PD, Lulzim Basha, ka reaguar pas publikimit të lajmit se Rusia ka financuar Partinë Demokratike me 500 mijë dollarë në vitin 2017, gjatë kohës kur ai ishte në krye të kësaj partie.

Në një postim që ka bërë në rrjetin social “Twitter”, Basha thotë se PD nuk ka marrë asnjë financim të huaj aq më pak nga Rusia.

Basha theksoi se kur pretendime të tilla asokohe qarkulluan në disa media, Partia Demokratike i kërkoi zyrtarisht drejtësisë hetimin e këtyre akuzave dhe bashkëpunoi plotësisht me drejtësinë e cila hodhi poshtë, çdo pretendim për financime të huaja.

“Partia Demokratike nuk ka marrë kurrë asnjë financim të huaj e aq më pak me burim rus. Kur pretendime të tilla u qarkulluan në disa media, Partia Demokratike i kërkoi zyrtarisht drejtësisë hetimin e këtyre akuzave dhe bashkëpunoi plotësisht me drejtësinë e cila hodhi poshtë çdo pretendim për financime të huaja”, shkruan Basha në Twitter.

“Ne jemi krenarë për partneritetin e palëkundur me aleatin tonë strategjik, SHBA dhe të vendosur të ecim përpara në krah të aleatëve tanë euro-atlantikë për konsolidimin e vlerave perëndimore dhe integrimin e plotë të Shqipërisë në BE”, shton Basha në reagimin e tij.

Rusia ka transferuar në mënyrë të fshehtë mbi 300 milionë dollarë për parti politike, drejtues dhe politikanë të huaj në mbi 24 vende të botës, duke nisur nga viti 2014.

Lajmin e bëjnë të ditur burime të administratës amerikane, të cilat i referohen një raporti të shërbimeve të inteligjencës, tashmë i deklasifikuar, shkruan BBC.

Sipas këtij burimi, Rusia kishte shpenzuar rreth 500,000 dollarë për të mbështetur Partinë Demokratike të Shqipërisë në zgjedhjet e vitit 2017 dhe gjithashtu financoi partitë ose kandidatët në Bosnjë, Mal të Zi dhe Madagaskar.