Dy orë pas mbylljes së procesit të votimit për kryetarin e ri të Partisë Demokratike, ka përfunduar edhe procesi i numërimit të kutive në të 71 degët në mbarë vendin.
Kreu i Komisionit Zgjedhor në PD, Jemin Gjana në deklaratën për mediat njoftoi se nga procesverbalet e administruara rezulton se në kutitë e votimit janë gjetur 18052 fletë votimi, nga të cilat 199 janë shpallur të pavlefshme.
Lulzim Basha ka dalë fitues i këtyre zgjedhjeve, duke arritur të marrë 16196 nga 17853 që është totali i votave të vlefshme.
Rivali i tij në këtë garë, Gjergji Hani është votuar nga vetëm 1657 anëtarë të Partisë Demokratike, teksa të drejtën e votës e gëzonin 25 mijë prej tyre.
“Bazuar në këto të dhëna, nga përmbledhja e procesverbaleve të 71 degëve rezulton se kanë marrë pjesën ë votim 18052 anëtarë të Partisë Demokratike. Pjesëmarrja shkon tek 71%. Kjo pjesëmarrje mund të korrektohet me ata që kanë votuar që nuk kanë qenë pjesë në listë. Në kutitë e votimit janë gjetur 18052 fletë votimi. Nga këto janë gjetur të pavlefshme 199 gjithsej. Të vlefshme janë 17853. Nga të cilat kandidati Lulzim Basha marrë 16196 vota dhe kandidati Gjergji Hani ka marrë 1657 vota. Në bazë të këtyre të dhënave Komisioni Elektoral i Partisë Demokratike deklaron fitues të zgjedhjeve për kryetar zotin Lulzim Basha”, tha Gjana në komunikimin për mediat.
Kjo është hera e katërt që Basha merr timonin e drejtimit të selisë blu.
Në këto zgjedhje të katërta, prej të cilave Lulzim Basha del fitues, partia është shndërruar në një lëmsh ligjor.
Krahas Sali Berishës që pretendon drejtimin e saj në Gjykatë, tashmë është edhe Gazmend Bardhi që me kompetencat e sekretarit të përgjithshëm kërkon të ndalojë një proces zgjedhor që me siguri do të shënojë krizën më të thellë të demokratëve me tre dekada ekzistencë.