Nga Edmond Arizaj
A e dini kush janë më të rrezikuarit sot nga koronavirusi?
Kush nuk mund të rrijë dot në shtëpi për t’u izoluar për t’u mbrojtur sa të kalojë piku i epidemisë? Kush madje as nuk mundet dot të ankohet, të bëjë naze, apo të shkruajë statuse në FB?
Mjekët dhe infermierët e infektivit, e pastaj gjithë bluzat e bardha që do të përballen me virusin koronë. Kanë edhe ata frikë. Kanë edhe ata familje. Po si të gjithë edhe ata nuk janë prej guri. Por ndryshe nga të gjithë ata kanë bërë një betim.
E ndryshe nga të gjithë, ata e dinë se janë shpresa e vetme për njerëzit që do të kenë fatin e keq të preken rëndë.
Ne i kemi linçuar, i kemi akuzuar, i kemi përçudnuar, i kemi urryer, i kemi përzënë, i kemi poshtëruar. Por sot është koha të lutemi për ta. Po po. Lutuni që të kenë sa më shumë fuqi. Lutuni që të mos dorëzohen. Lutuni që të jenë mbinjerëzorë. Lutuni për ta, sepse luteni për veten.
Ata do duhet të përballojnë jo vetëm sëmundjen, por edhe panikun, stresin dhe papërgjegjshmërine tonë, të njohur tashmë. Ata janë heronjtë. Por nga sot, na duhen mbiheronj, sepse nuk dihet sa ditë do të punojnë pa ndaluar. Lutuni për këtë… kërkoni dhe ndjesë, diku mes lutjesh.