Lëvizja Vetëvendosje është fituesja e zgjedhjeve të parakohshme të zhvilluara të dielën në Kosovë. Partia që drejtohet nga Albin Kurti teksa janë numëruara mbi 98% të votave të përgjithshme ka marrë 48.17% të tyre ose të përkthyera në vota, 369 739 të tilla.
Në një konferencë për mediat nga selia e partisë së tij në orët e vona të së dielës, Kurti e cilësoi “madhështore” fitoren. Po ashtu ai tha se prioritet i qeverisjes së tij është drejtësia dhe punësimi.
“Ky referendum për drejtësi dhe punë, e kundër kapjes së shtetit dhe korrupsionit u fitua. Është diçka e pashembullt në Kosovën e pasluftës. Nga nesër fillon një ditë e re. Na presin shumë punë dhe angazhime, sepse vendi është në kriza të shumëfishta. Secili prej nesh duhet ta marrë përgjegjësinë që i takon, për ta bërë vendin tonë një vend të jetueshëm për të gjithë, ashtu siç është i dashur për të gjithë. Prioriteti ynë është drejtësia dhe punësimi”, tha Kurti. Ai premtoi se do të udhëheqë “pa inate dhe pa revanshizëm”.
Ndërkohë, Vjosa Osmani, e cila në këto zgjedhje garoi në listën e Vetëvendosjes si kandidate për presidente u shpreh se institucionet e reja do të drejtohen nga drejtësia.
“Institucionet e reja do të drejtohen nga drejtësia”, tha ajo.
Partia e dytë në zgjedhjet e 14 Shkurtit doli PDK-ja me 17.35% të votave, ndërsa në vend të tretë LDK-ja me 13.18% të votave. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës mori 7.42% të votave. Partia Nisma nuk arriti të kalojë pragun zgjedhor. Deri më tani nuk kanë nisur të numërohen votat e diasporës.