Janë zbardhur detaje të reja në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur pasditen e së martës në Tiranë, ku Arsen Muskuri vrau me armë vëllanë e tij, Dritan Muskurti dhe kunatën, Nora Muskurti.
Gazetari Eni Ferhati ka treguar detaje në lidhje me dëshminë e Arsen Muskurtit, personi i cili vrau me armë vëllanë e tij, Dritan Muskurti dhe kunatën, Nora Muskurti.
Në studion e lajmeve të “Euronews Albania”, Ferhati tha se Arsen Muskurti ka deklaruar në dëshminë paraprake se ishte penduar dhe më pas ka thënë se i vëllai dhe kunata ia kishin bërë për borxh.
“Autorësia sigurisht që është pranuar nga ana e tij, madje ka treguar edhe ku e kishte hedhur armën. Armën e kishte hedhur gjatë rrugës, të cilën e kishte përshkruar në këmbë, nga ”Rruga e Kavajës” deri në zonën e “5 Majit”. Fillimisht, është shprehur i penduar, është shprehur se ka qenë një veprim në gjaknxehtësi. Më pas, ka dhënë një dëshmi tjetër, ku ka pretenduar se ia kishin bërë për borxh, si vëllai dhe kunata e tij, gjithmonë me dyshimet për konfliktet për biznesin.
Megjithatë, është një dëshmi paraprake e cila më shumë merret nga hetuesit për të kuptuar se çfarë ka ndodhur, apo për të gjetur prova të tjera shtesë që do të mbështesin nesër akuzën në gjykatë”, theksoi gazetari.
Ferhati nënvizoi se autori dhe viktimat jetonin në një zonë të “5 Majit” në kryeqytet.