Aktualitet Macja e egër dokumentohet për herë të parë në Parkun Kombëtar ‘Divjakë-Karavasta’

Macja e egër dokumentohet për herë të parë në Parkun Kombëtar ‘Divjakë-Karavasta’

Vendosja e moratoriumit për ndalimin e gjuetisë në pyje dhe shtimi i zonave të mbrojtura natyrore po sjellin gjithnjë e më shumë rigjenerimin e faunës së egër dhe të pasur shqiptare.

Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura ndau në rrjetet sociale pamje nga dokumentimi për herë të parë të Maces së egër në Parkun Kombëtar “Divjakë-Karavasta”.

“Bota e egër e zonave tona të mbrojtura vjen me raportime mjaft të mira nga specialistë e AdZM-ve. Përtej imazheve të përftuara nga Bjeshka Orosh, sjellim një tjetër lajm të rëndësishëm, atë të dokumentimit për herë të parë të Maces së egër në Parkun Kombëtar “Divjakë-Karavasta”. Imazhet janë siguruar falë kamerave kurth të vendosura në këtë park”, thekson AKZM.

Disa ditë më parë AKZM ndau edhe pamjet e kamerave kurth të vendosura në Zonën e Mbrojtur të Burimeve të Menaxhuara, “Bjeshka Orosh”, një habitat mjaft i qetë për jetën e egër.


Zonat e mbrojtura në të gjithë vendin janë një shtëpi e sigurt për zhvillimin e faunës dhe një aset i çmuar për biodiversitetin.