Sirenat e luftës u dëgjuan sërish në Kiev, por kjo nuk i pengoi liderët e katër vendeve europiane dhe zyrtarët e Ukrainës të mbanin konferencën për shtyp. Presidenti francez, Emmanuel Macron, ai i Rumanisë, Klaus Iohannis, kryeministri italian, Mario Draghi dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz, garantuan presidentin, Volodymyr Zelensky, së vendi i tij do të marrë statusin e kandidatit për në Bashkimin Europian. Por i shuan shpresat për një rrugë të shkurtër anëtarësimit duke e njoftuar se për këtë duhet shumë punë.
“Të gjithë ne mbështesim dhënien menjëherë të statusit kandidat për anëtarësim. Ky status do të shoqërohet me një udhërrëfyes dhe do të nënkuptojë gjithashtu që situata e Ballkanit Perëndimor dhe e fqinjësisë, veçanërisht e Moldavisë, të merret parasysh. Europa është pranë jush, do të mbetet e tillë për aq kohë sa të jetë e nevojshme, derisa të arrihet fitorja, një fitore që do të shohë kthimin e paqes në një Ukrainë të lirë dhe të pavarur”, deklaroi presidenti francez Macron.
“Unë dhe kolegët e mi kemi ardhur këtu në Kiev me një mesazh të qartë: Ukraina i përket familjes europiane”, shtoi kancelari gjerman Scholz.
“Dua të them se mesazhi më i rëndësishëm i vizitës sonë është se Italia e dëshiron Ukrainën në Bashkimin Europian dhe dëshiron që Ukraina të marrë statusin e vendit kandidat dhe do ta mbështesë këtë qëndrim në Këshillin e ardhshëm Europian”, ishin fjalët e kryeministrit italian Draghi.
Zelensky kërkoi më shumë armë të reja, pasi e konsideron mënyrën e vetme për të rikthyer lirinë në mbarë Ukrainën. Tha se vendi i tij e meriton statusin kandidat për aderim në BE dhe adresoi çështjen e zhbllokimit të eksporteve.
“Do bëjmë gjithçka mundemi për të zhbllokuar portet detare, por kjo duhet të bëhet së pari nga ata që i bllokuan, pra flota detare ruse”, u përgjigj Zelensky.
Gjatë takimit me Zelenskyn, liderët europianë i kanë ofruar furnizime me armë të reja gjithashtu edhe trajnim të ushtarëve ukrainas për t’i përdorur ato. Ndërsa Macron kërkoi që Kievit të fitojë, madje të rimarrë dhe Krimenë e aneksuar nga Rusia. Gjatë qëndrimit në Ukrainë, liderët europianë vizituan qytezën e Irpin ku thanë se ushtria e Vladimir Putin ka kryer krime lufte.