Bota Macron hyn në lojë, takon të hënën Putinin dhe të martën presidentin...

Macron hyn në lojë, takon të hënën Putinin dhe të martën presidentin ukrainas

Zelensky, Macron dhe Putin

Presidenti francez, Emmanuel Macron, do të takohet të hënën në Moskë me presidentin Vladimir Putin, ndërsa të martën në Kiev me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky. Lajmi i njoftuar nga Elysée, shënon një hap të mëtejshëm diplomatik të liderit francez në përpjekje për mospërshkallëzimin e krizës ukrainase dhe që pason një sërë kontaktesh telefonike, të cilat janë intensifikuar ditët e fundit me homologët e tij rusë dhe ukrainas, si dhe me presidentin amerikan Joe Biden.

Putin dhe Macron folën mbrëmë në telefon për krizën në Ukrainë. Kjo është telefonata e tretë e javës mes të dyve, sipas raportimeve nga Tass.

Sipas burimeve të Elysee, Macron foli për 45 minuta me Putinin dhe për rreth një orë me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.

“Të dyja diskutimet vijnë në një kontekst konsultimi të vazhdueshëm midis partnerëve dhe aleatëve evropianë. Ato janë pjesë e vendosmërisë së presidentit francez për të vazhduar dialogun për të identifikuar elementet që duhet të çojnë në një depërshkallëzim. Bisedimet u përqendruan në dy prioritete. E para, për të kapitalizuar progresin e fundit të formatit të Normandisë për të arritur një zgjidhje të qëndrueshme në Donbass. E dyta, për të filluar bisedën për kushtet e ekuilibrit strategjik në Evropë, i cili duhet të bëjë të mundur uljen e rreziqeve në terren dhe sigurimin në kontinent”, theksojnë burimet.

Ndërkohë presidenti rus, Vladimir Putin, ka mbërritur në Pekin për Lojërat Olimpike Dimërore, raportoi televizioni shtetëror kinez.