Në një drekë në vitin 2018, presidenti francez Emmanuel Macron e ftoi Pavel Durov të zhvendoste selinë e Telegramit në Paris, por sipërmarrësi me origjinë ruse refuzoi.
Kështu shkruan “Wall Street Journal”, duke cituar disa njerëz që kanë njohuri mbi diskutimet.
Macron madje mendoi t’i jepte atij shtetësinë franceze, tha një prej burimeve.
Durov e refuzoi ofertën e Macron dhe gjithsesi e mori nënshtetësinë franceze në vitin 2021.
Gjithashtu sipas WSJ-së, në vitin 2017, spiunazhi francez shënjestruan Durov në një operacion të përbashkët me Emiratet e Bashkuara Arabe, i cili hakoi iPhone-in e tij.
Operacioni u iniciua mes shqetësimeve serioze nga autoritetet franceze se Shteti Islamik “përdorte Telegramin për të rekrutuar dhe planifikuar sulme”.
Operacioni i spiunazhit të vitit 2017, i cili nuk ishte raportuar më parë, u kodua “Purple Music”, thanë burimet për WSJ.
Qeveritë kanë vënë në shënjestër themeluesin e Telegram-it për shkak të grupeve që janë tërhequr nga aplikacioni i tij, të cilat variojnë nga protestuesit pro-demokracisë dhe disidentët deri te militantët islamikë, trafikantët e drogës dhe kriminelët kibernetikë.
Sipas një personi të afërt me Durov, për vite me radhë kompania injoroi thirrjet dhe urdhrat e gjykatës të dërguara nga autoritetet përkatëse, të cilat grumbulloheshin në një adresë emaili të korporatës të kontrolluar rrallë.
Telegram thotë se tani është në përputhje me Aktin e Shërbimeve Digjitale të Bashkimit Evropian, i cili kërkon që kompanitë online të punojnë me autoritetet për të luftuar përhapjen e përmbajtjes së paligjshme në platformat e tyre.