Presidenti francez Emmanuel Macron i kërkoi sot presidentit kinez Xi Jinping të përpiqet të bindë presidentin rus Vladimir Putin që të “kthehet në tryezën e bisedimeve”, njoftoi Pallati Elysée pas bisedimeve midis Macron dhe Xi në margjinat e samitit të G20 në Bali.
Macron kërkoi që “Kina të kontribuojë për t’i përcjellë mesazhe presidentit Putin në mënyrë që të shmanget përshkallëzimi dhe të kthehet seriozisht në tryezën e bisedimeve”, tha presidenca franceze në një deklaratë të transmetuar nga BFMTV.
Në një takim dypalësh, presidentët e Francës dhe Kinës konfirmuan qëndrimin e tyre të vendosur për parandalimin e përdorimit të mundshëm të armëve bërthamore në luftën në Ukrainë, deklaroi Pallati Elysée në një deklaratë të publikuar në faqen e internetit të presidencës.