Bota Macron, letër Maqedonisë së Veriut: Pranoni propozimin, identiteti dhe gjuha nuk ju...

Macron, letër Maqedonisë së Veriut: Pranoni propozimin, identiteti dhe gjuha nuk ju cënohen

Parisi shton thirrjet ndaj Shkupit për pranimin e propozimit të saj për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me Bullgarinë. Këtë herë ishte vetë presidenti Emmanuel Macron, i cili me një letër të hapur garanton respektimin e vijave të kuqe të Shkupit.

“Maqedonia e Veriut sërish ndodhet para një momenti kyç të historisë së vet dhe 17 vite pas marrjes së statusit të kandidates, sapo hapet mundësia historike, që është hyrja në fazë aktive  të procesit për anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe zgjedhja është juaja”, thuhet në porosinë e presidentit të Francës, Emmanuel Macron për Shkupin.

Shefi i Elizesë vlerëson kompromiset e kaluara të nënshkruara nga Maqedonia e Veriut dhe thotë se ka ardhur koha sërish për të ndryshuar rrjedhën e historisë.

“Nuk do t’ju them se kjo marrëveshje është e përsosur, por ajo do të hap rrugën tuaj europiane. Si çdo marrëveshje, edhe kjo bazohet në kompromise dhe ekuilibër. Kjo marrëveshje nuk e vë në dyshim ekzistencën zyrtare të gjuhës maqedonase, e cila është pjesë përbërëse e identitetit tuaj”, tha Macron.

Macron konfirmon se në propozimin e tij përfshihet Marrëveshja e Fqinjësisë me Bullgarinë e vitit 2017 dhe garancitë për zbatimin e duhur të saj. Presidenti bëri të ditur se në planin e tij është dhe pika që kundërshton opozita në Shkup.

“Së fundi, bëhet fjalë për rishikim të Kushtetutës, me qëllim të integrimit të komuniteteve të reja në të. Vendi juaj tashmë përfaqëson shembullin e bashkëjetesës në Europë. I mbetet Kuvendit maqedonas që të vendosë”, shton presidenti francez.

Në fund të letrës së hapur, Macron, shkruan se ka ardhur koha që gjithsecili të veprojë, me përgjegjësi dhe vlerësim të plotë të peshës dhe pasojave të veprimeve të veta, ndërsa shpreh bindjen se vendimi i Shkupit do jetë për vazhdimin e rrugëtimin për në familjen europiane.