Celulari i një ministri francez duket se është përgjuar nga programi Pegasus i kompanisë izraelite NSO Group. The Guardian raporton se celulari tregoi gjurmë të spyware pas analizimit nga ekspertët. Bëhet fjalë për François de Rugy, i cili ka qenë ministër i Mjedisit në Francë në periudhën 2018-2019.
Këto gjetje u zbuluan nga rrjedhja e një baze të dhënash ku përfshihen numra politikanësh e gazetarësh të cilët janë përgjuar përmes programit Pegasus dhe këto biseda më pas pretendohet se u janë shitur qeverive autoritare nga kompania izraelite.
Në mesin e këtyre numrave është edhe ai i Presidentit të Francës Emmanuel Macron dhe shumica e ministrave të kabinetit të parë qeverisë, përfshirë edhe ish-Kryeministrin francez Edouard Philippe.
Një zëdhënës i kompanisë NSO Group tha se Presidenti Macron dhe zyrtarë të tjerë të qeverisë franceze dhe belge, siç rezulton në bazën e të dhënave, nuk kanë qenë asnjëherë në “shënjestër” të programit Pegasus.
The Guardian raporton se ka të ngjarë që Maroku ka qenë shteti i interesuar për Macron edhe ekipin e tij të parë qeverisës.
Një zyrtar i Presidencës franceze është shprehur se nëse këto pretendime provohen, atëherë kjo është ngjarje shumë e rëndë.
Aktualisht Prokuroria franceze ka nisur hetimet pas publikimit në media të skandalit të përgjimeve.