Presidenti francez Emanul Macron, u bë udhëheqësi i parë që vizitoi Bejrutin e tronditur rëndë. Franca ka kërkuar mbështetje për ish-koloninë e saj dhe po dërgon ndihma pas shpërthimit, që ka lënë të paktën 145 të vdekur dhe mbi 5 mijë të plagosur.
Kreu i Elizesë ofroi mbështetjen e popullit francez dhe bëri thirrje për ndryshim pas shpërthimit shkatërrues të së martës. Libani nuk është vetëm, pohoi Macron para se të zotohej se Parisi do të koordinonte përpjekjet globale për rimëkëmbjen e Bejrutit.
“Së pari kam ardhur për të treguar mbështetjen, miqësinë dhe solidaritetin vëllazëror për qytetarët libanezë pas shpërthimit të 4 gushtit, që preku të gjithë Bejrutin dhe gjithë popullsinë. Mbi të gjitha do të theksoja se mbështetja dhe solidariteti janë të nevojshëm sepse bëhet fjalë për Libanin, për Francën, dhe është detyra ime të jem këtu dhe të tregoj miqësinë”, deklaroi Macron.
Por presidenti francez paralajmëroi gjithashtu vendin e zhytur në krizë ekonomike, se do të fundosej edhe më shumë nëse nuk vinte në zbatim reforma urgjente.
Macron vizitoi fillimisht zonën e portit, të kthyer tashmë në një pirg rrënojash. Më pas kaloi përmes lagjeve të goditura më rëndë, mes thirrjeve të qytetarëve të zemëruar me politikën. Numri një i Parisit tha se nuk kishte ardhur për të mbështetur regjimin dhe siguroi se ndihma franceze nuk do të përfundonte në duart e të korruptuarve.
Përveç viktimave dhe të lënduarve të llogaritur deri tani, disa dhjetëra persona konsiderohen ende të humbur dhe deri në 250 mijë të tjerë kanë probleme me banesat pasi vala e shpërthimit theu xhamat e dritareve dhe dëmtoi orenditë, duke i bërë shtëpitë të papërshtatshme për të jetuar.