Bota Macron në Izrael: Koalicioni ndërkombëtar që luftoi ISIS mund të luftojë Hamasin

Macron në Izrael: Koalicioni ndërkombëtar që luftoi ISIS mund të luftojë Hamasin

Presidenti francez, Emmanuel Macron propozoi të martën një koalicion ndërkombëtar për të luftuar grupet terroriste me një model të ngjashëm me luftën kundër ISIS.

Macron tha se Hamasi është i krahasueshëm me ISIS dhe Al Kaeda “në veprim dhe qëllim”. Duke folur së bashku me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, ai dënoi “urrejtjen e pastër” dhe “dhunën e pastër” të sulmeve të 7 tetorit ndaj Izraelit.

“Lufta kundër grupeve terroriste duhet të jetë pa mëshirë, por jo pa rregulla”, tha ai, duke bërë thirrje për akses humanitar dhe energji elektrike për popullsinë civile të kapur në luftime, pa një ndihmë të tillë për grupet terroriste.

Presidenti francez theksoi se veprimet e Hamasit “kalojnë përtej çdo kuptimi”, duke shënuar “një faqe të zezë në historinë tonë”.

Duke shprehur ngushëllimet e Francës ndaj Izraelit për sulmet, ai tha: “Të dy vendeve tona i bashkon i njëjti pikëllim”.

Të paktën 30 qytetarë francezë u vranë në sulmet e Hamasit dhe nëntë qytetarë francezë janë “të zhdukur ose të mbajtur peng”, tha ai.

Macron kërkoi që kauza palestineze të dëgjohet “me arsye”, duke shtuar se “kushti i parë” i një shteti palestinez në paqe dhe siguri duhet të jetë pranimi i ekzistencës dhe sigurisë së Izraelit.

Macron paralajmëron gjithashtu grupin militant Hezbollah dhe Iranin kundër hapjes së një fronti të ri në kufirin verior të Izraelit.

Përshkallëzimi i mëtejshëm në veri do të “hapte derën për një zjarr rajonal nga i cili çdo palë do të humbiste”, tha ai.

Ndërkohë që edhe më herët gjatë takimit me presidentin izraelit, Macron u shpreh se fushata ushtarake e Izraelit në Gaza duhet të zhvillohet pa e “zgjeruar këtë konflikt”.