Presidenti francez Macron beson se mund të arrihet një marrëveshje për të shmangur luftën në Ukrainë, dhe se është legjitime për Rusinë që të shfaqë shqetësime për sigurinë e vet.
Para se të nisë takimet me presidentin rus Putin në Moskë të hënën, ai ka bërë thirrje për “balancim të ri”, për të mbrojtur shtetet evropiane dhe për ta qetësuar Rusinë.
Macroni përsëriti se sovraniteti i Ukrainës është i padiskutueshëm.
Rusia ka mbledhur rreth 100 mijë trupa afër kufirit me Ukrainën, mirëpo mohon se po planifikon të pushtojë shtetin fqinj.
Moska ka si kërkesë nga Perëndimi që Ukraina të mos bëhet pjesë e NATO-s dhe NATO të mos zgjerohet në Lindje. Perëndimi i ka refuzuar këto kërkesa.
Macron tha se objektivi i Rusisë “nuk është Ukraina, por sqarimi i rregullave me NATO-n dhe Bashkimin Evropian”, gjatë një interviste për gazetën Journal du Dimanche.
Ai thotë se shpreson që dialogu me presidentin rus do të jetë i mjaftueshëm për të parandaluar konfliktin ushtarak. Sipas Macronit, Putin do të jetë i hapur për të diskutuar.
Macron, i cili ka biseduar edhe me presidentin amerikan Biden të dielën, thotë se Rusia ka të drejtë të shpërfaqë shqetësimet e veta.
Mirëpo ai thekson se dialogu me Rusinë “nuk duhet të zhvillohet përmes dobësimit të ndonjë shteti evropian”.
“Ne duhet të mbrojmë vëllezërit evropianë duke propozuar një balancim të ri, që mundëson ruajtjen e sovranitetit dhe paqes”, u shpreh ai.
Ditën e sotme Macron do të fluturojë në Moskë ku do të takojë Putinin, me qëllim lehtësimin e tensioneve me Ukrainën.