Presidenti francez Emmanuel Macron paralajmëron luftë civile në rast se fiton ekstremi i djathtë ose ai i majtë në zgjedhjet e parakohshme të këtij muaji.
Macron thotë se të dyja grupimet kanë ndjekur politika përçarëse që nxitin tensione midis komuniteteve.
Ekstremi i djathtë, sipas tij, duke i parë njerëzit sipas fesë ose origjinës, “i shtyn njerëzit drejt luftës civile”.
Ndërsa e majta ekstreme, e udhëhequr nga Jean-Luc Mélenchon, inkurajon një formë ndarjeje për qëllime elektorale “që gjithashtu promovon luftën civile sepse i redukton njerëzit në grupimin e tyre fetar ose etnik”.
Macron iu referua akuzave se koalicioni i majtë po përpiqet t’i tërheqë votuesit myslimanë përmes qasjes kritike ndaj luftës së Izraelit në Gaza.
Presidenti francez i shpalli zgjedhjet e parakohshme në fillim të këtij muaji, pasi koalicioni i tij u mposht nga ekstremi i djathtë i Marine Le Pen në zgjedhjet evropiane. Francezët tani po përgatiten të votojnë në zgjedhjet parlamentare, të cilat pritet t’i japin maxhorancën pikërisht partisë së Le Pen.
Sondazhet thonë se ajo do të marrë 35 për qind në raundin e parë, ndërsa aleanca e majtë pason me 27 për qind dhe centristët e Macron me 19 për qind.
Ditët e fundit, edhe aleatë të Macron kanë paralajmëruar për rreziqet me të cilat përballet Franca nëse votuesit kthehen te e djathta ekstreme ose e majta ekstreme, veçanërisht rrezikun e trazirave ekonomike. Vetë Macron shkoi një hap më tej duke paralajmëruar ata që ai i quajti “ekstremet” që rrisin “konfliktin dhe luftën civile”.
“Kur jeni të lodhur dhe jeta e përditshme është e vështirë, mund të tundoheni të votoni për ekstremet që kanë zgjidhje më të shpejta. Por nuk do të jetë kurrë zgjidhje nëse refuzon të tjerët”, tha ai.