Presidenti francez, Emmanuel Macron propozoi sot organizmin e një konference ndërkombëtare për të ndihmuar Shqipërinë që të përballojë shkatërrimet nga tërmeti, që shkaktoi 51 viktima.
Sipas tij, kjo konferencë synon të mobilizojë partnerë publikë e privatë, për të organizuar rindërtimin pas tërmetit, që la rreth 5 000 të pastrehë.
“Kam një mesazh miqësie e mbështetjeje për miqtë tanë shqiptarë. Shqipëria është përballur me tërmete të tmerrshme javën e fundit me mbi 50 të vdekur, me mijëra njerëz që kanë humbur banesat e tyre, me familje në zi. Franca ka dërguar që në orët e para ekipe të sigurisë civile që kanë bërë një punë të shkëlqyer siç kryeministri Rama e evidentoi dje, kur ua tha zyrtarisht dje në vendin e tij. Ne do vazhdojmë bashkëpunimin teknik.
Dua t’i shpreh Shqipërisë dhe shqiptarëve gjithë mbështetjen time. Uroj që javën e ardhshme gjatë samitit të Këshillit Europian ne të kemi një qëndrim të përbashkët mbi këtë çështje dhe dua që të arrijmë të organizojmë një konferencë partnerësh, publike e private njëkohësisht për të organizuar dhurimet për rindërtimin dhe shpenzimet e nevojave të para për Shqipërinë.
Franca është krejt e gatshme që ta mikpresë një konferencë të tillë, por ne kemi nevojë për një konferencë solidariteti për Shqipërinë”, tha Macron
Më 30 nëntor, Kryeministri Edi Rama falënderoi ekipet e shpëtimit, që erdhën nga jashtë vendit, veçanërisht nga Franca, për të ndihmuar në përballimin e pasojave të tërmetit me magnitudë 6.3 të shkallës Rihter.