Një prej rasteve më të famshme të personave të zhdukur në historinë e Britanisë, zhdukja e 3-vjeçares Madeleine McCann kur ndodhej me pushime në 2007-n, është rikthyer në qendër të vëmendjes këtë javë, pasi policia publikoi informacione për një të dyshuar të ri.
Një i burgosur gjerman, i dënuar në të shkuarën për krime seksuale ndaj fëmijëve, po hetohet tashmë për vrasje, në zhvillimin më të fundit për rastin tragjik që prej 13 vitesh nuk ka qenë kurrë larg syrit mediatik, si në Britani, ashtu edhe jashtë saj.
Në qendër të tragjedisë është një familje e cila nuk ka ende përgjigje se çfarë i ndodhi vajzës tyre të vogël.
Çfarë ndodhi 13 vjet më parë?
Në Maj të 2007, Gerry dhe Kate McCann po qëndronin në një apartament me pushime në Praia da Luz, në Portugali, me 3 fëmijët e tyre.
Çifti doli për darkë me disa miq në një restorant aty pranë, duke i lënë fëmijët në gjumë në apartament.
Ata i kontrolluan herë pas here gjatë mbrëmjes, por kur Kate u rikthye në apartament rreth orës 22:00, pa që Madeleine nuk ndodhej në shtëpi. Zhdukja e saj nxiti një operacion kërkimi ndërkombëtar dhe hetime të cilat vijojnë edhe sot e kësaj dite.
Rasti që preku zemrat dhe shkaktoi zemëratë tek disa
Historia thellësisht emocionale dominoi mediat britanike për muaj me radhë. Fotoja e vajzës së vogël shfaqej çdo ditë në faqet e para të çdo mediumi.
Miliona njerëz dëshmuan ankthin dhe dëshpërimin e prindërve të saj, të cilët bënin lutje për informacione dhe ndihmë.
Dhimbja e kësaj familjeje u rëndua edhe më shumë kur ata u vunë në shënjestër, kryesisht të tabloideve, për lënien vetëm të fëmijëve ndërkohë që kishin dalë me miqtë.
Por trauma u thellua kur hetuesit portugezë morën në pyetje prindërit e Madeleine, duke shpallur si të dyshuar kryesorë, një hetim që u mbyll vetëm në 2008-n, për mungesë provash.
Më vonë, avokati i McCann-ëve do ta quante trajtimin e rastit nga shtypi britanik si “skandal kombëtar”.
Ulje-ngritjet e hetimeve
Hetimet për zhdukjen e Madeleine ka përfshirë operacione masive dhe të kushtueshme nëpër Europë. Në disa raste ato u financuan nga vetë çifti i bashkëshortëve, me anë të detektivëve privatë.
Në Britani, hetimi më i fundit i Policisë Metropolitane, që nisi në 2011-n, kushtoi më shumë se 11 milionë paund.
Pavarësisht identifikimi të të dyshuarve të rinj përgjatë viteve dhe hetimeve të reja të skenës së krimit, misteri i zhdukjes së Madeleine mbetet i pazgjidhur.
Rasti ka qenë subjekt i shumë dokumentareve, përshirë një serie të 2019-s me 12 pjesë të Netflix, që u kritikua nga prindërit e Madeleine.
Çfarë po ndodh tani?
Policia gjermane njoftoi së fundmi se kishte një të dyshuar të ri. Bëhet fjalë për një 43-vjeçar gjerman, i cili po hetohet për vrasje.
Aktualisht në burg ku vuan dënimin për krime ndaj vajzave të mitura, “Christian B” udhëtoi nëpër Portugali me një furgon kamper dhe besohet se ndodhej në zonën ku Madeleine u pa për herë të fundit përpara se të zhdukej.
Policia britanike e liston rastin e saj si hetim për “personat e zhdukur” dhe Kate e Gerry McCann thonë se nuk e kanë humbur kurrë shpresën. Ata i përshkuan të dhënat e fundit si “domethënëse”.
“Ajo që kemi dashur gjithmonë ka qenë që ta gjenim, të zbulonim të vërtetën dhe të çonim para drejtësisë përgjegjësit”, tha çifti në një deklaratë.