Presidenti i Venezuelës, Nicola Maduro deklaroi se forcat e sigurisë shmangën një tentativë për grusht shteti që kishte për qëllim eliminimin e tij dhe vendosjen e ish-ministrit të Drejtësisë në krye të shtetit. Ai u shpreh se në këtë komplot “fashist” janë përfshirë lideri i opozitës Guaido të mbështetur nga SHBA, Kolumbia dhe Kili. Opozitari Guaido i mohoi këto akuza duke u shprehur se janë të gjitha sajesa.
Ministri i Komunikacionit, Jorge Rodriguez bëri me dije se tentativa për grusht shteti u shmang falë informatorëve që ndodheshin brenda grupit.
Sipas tij në këtë grup “armiqësor” ishin përfshirë dhjetëra persona mes tyre oficerë aktivë dhe në pension të ushtrisë.
Ministri Rodriguez shton se agresorët kishin në plan të merrnin kontrollin e tri bazave ushtarake, të vrisnin presidentin, të shoqen dhe zyrtarë të ndryshëm të Partisë Socialiste. Autorët e grushtit të dështuar të shtetit, gjithashtu do të nxirrnin ish-ministrin e Mbrojtjes Raul Baduel nga burgu dhe do ta shpallnin president.