Një deklaratë e fortë vjen sot nga Drejtori i Përgjithshëm i Departamentit të Antimafias Italiane Maurizio Vallone.
“Në Liguria, ka deklaruar ai, mafia shqiptare punon për mafian kalabreze Ndrangheta. Mafia shqiptare ka marrë në nënkontraktim nga mafia kalabreze, menaxhimin e trafikut të drogës.”
Deklarata e tij është bërë gjatë vizitës në qytetin e Genovas në prezantimin e eventit mbi 30 vjetorin e DIA, Departamentit të Antimafias Italiane.
“Prej 30 vitesh, rajoni i Ligurias, tha ai, ka hasur praninë e të gjitha mafiave, por hetuesit janë munduar t’i luftojnë infiltrimet e tyre në ekonominë e territorit.”
Duke folur për portin e Genovas, një nga portat më të rëndësishme në kufijtë detarë italianë, Maurizio Vallone u shpreh se “ky port gjatë kohëve të fundit është nën vëzhgimin e veçantë të autoriteteve, fakt që e dëshmon dhe sasia e madhe e lëndëve narkotike të sekuestruara”.
“Aty ku ka më shumë sekuestrime, ka më tepër vëmendje”, tha ai.
Për Drejtorin e Antimafias Italiane, krimi i organizuar, goditet dhe përmes sekuestrimeve që ndihmojnë në dëmtimin e veprimtarisë së organizatave kriminale.
“Mega sekuestrimet në portin e Genovas, nuk dëshmojnë jo vetëm shtimin e tranzitit të lëndëve narkotike, por dhe përmirësimin e aftësive inestigative.”
Në raportin e fundit të Antimafias Italiane, trafiku i drogës mbizotëron në aktivitetin kriminal të rajonit të Ligurias. 60% e operacioneve të kryera gjatë vitit 2021 i përkasin punës së antidrogës territoriale.
“Klanet ndranghetiste të vendosura prej kohësh në territorin ligure kanë shtrirë rrënjë, thuhet në këtë raport, e prej vitesh janë baza logjistike për importimin e kokainës. Që prej viteve ’50 ky rajon u bë një vend joshës për krimin e organizuar si për strukturën ekonomike në lulëzim, ashtu dhe për pozicionin gjeografik strategjik si një udhëkryq lidhës me Versiljën, Costa Azzura, Europa e Italia Veriore si dhe me kontinente të tjera për shkak të porteve të pozicionuar në të”. Raporton gazetarja e Ora News, Alba Kepi.