Deputeti i Partisë Socialiste, Pandeli Majko i ka dërguar një letër Shërbimit Informativ të Shtetit, pas akuzave të bëra nga kreu i demokratëve Sali Berisha se ai është nën përgjimin e këtij institucioni.
Teksa kërkon informacion për këtë çështje, Majko shkruan se përgjigja prej SHISH duhet të kthehet brenda 15 ditësh në të kundërt do të verë në dijeni dhe kryeministrin Edi Rama.
Të hënën, Sali Berisha akuzoi Pandeli Majkon për krime zgjedhore, pak pasi Edi Rama e largoi nga drejtimi politik i qarkut Kukës.
Akuza duket se i ka “gërvishtur” sedrën politike deputetit socialist, i cili një ditë më parë ka trokitur në zyrën e Elisa Spiropalit duke i kërkuar ndihmë kryeparlamentares, me synim që të “pastrojë” figurën e tij para se të shkojë përpara qytetarëve të Tiranës për të kërkuar votën në 11 maji.
Për të treguar që është i pastër, Pandeli Majko është i gatshëm të zhvishet nga imuniteti, pavarësisht se me ligjet në fuqi SPAK mund ta hetojë edhe pa këtë vendim të tij.