Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko gjatë një interviste për Euronews Albania ka komentuar çështjen e publikimit të databazës së Partisë Socialiste për 910 mijë votuesit e Qarkut të Tiranës.
“Nuk bëhet fjalë për ndonjë arsyetim i një karakteri antiligjor, është një fotografim, patronazhistët janë një fotografi që i bëhet çdo zone elektorale për të pasur një ide apo projeksion për rezultatin zgjedhor. Jam i surprizuar negativisht ta them troç sepse mendoj se jemi të dëmtuar si palë politike. Këtë e them me bindje”, tha ai.
Majko solli edhe rastin e tij ku në këtë databazë rezulton “pa informacion”. Ai nënvizoi se nuk ka të bëjë me ndonjë “survejim” të qytetarëve, por bëhet fjalë vetëm për përllogaritje elektorale.
Për vendimin e fundit të Komitetit Teknik të Ekspertëve që ka përcaktuar dy javë karantinë për çdo person që vjen nga Greqia dhe Republika e Maqedonisë Veriore, Majko tha se vendimi dëmton PS pasi mjaft mbështetës të saj jetojnë në Greqi.
“Sipas të gjitha informacioneve që kam unë nëse ka degë të forta të PS, janë votues që jetojnë në Greqi dhe Italia. Nëse ka të goditur nga vendimi i sotëm jemi të goditur ne”, tha Majko.
I renditur në vendin e 19 të listës së kandidatëve për Qarkun e Tiranës, ish-kryeministri tha se ai po punon për PS.
“Pritshmëritë e mia së pari janë për numrin 12, dua të jem i sinqertë”, tha kandidati i PS.
I pyetur nga gazetarja Bruna Çifliku nëse ndihet i rrezikuar që Parlamentin e ardhshëm të mbetet jashtë, Majko tha se ndodhet në “vijën e zjarrit”.
“Nuk jam pronari i votave të qytetarëve, secili nga kolegët e mi dhe të kolegëve të opozitës është në një gjykim publik për atë që kemi bërë mirë dhe atë që nuk kemi bërë mirë”, tha ai.
Sipas Majko në PS nuk ka luftë brenda partisë pasi tha se në fund të gjitha votat do të mblidhen dhe do të shkojnë në favor të partisë.
Në fokus të veçantë të fushatës së PS, Pandeli Majko tha se janë të pavendosurit. Ai foli i sigurt për fitoren më 25 prill dhe tha se pas zgjedhjeve PS duhet të “rishpikë veten” pasi pritshmëritë e njerëzve janë të larta.
Ai pranoi se nuk është e lehtë të kërkosh një mandat të tretë qeverisës, por nga ana tjetër shprehur nën vlerësim për opozitën për garën e votave.
“Është e vështirë, është sfiduese, është e rrezikshme dhe në një kontekst të caktuar mendoj se ne jemi duke bërë garë me veten. Për fat të keq opozitën e shikojmë si një makinë që po na ndjek në një rrugë tjetër që është jashtë sistemit rrugor ku ne jemi”.