Deputeti i Partisë Socialiste Pandeli Majko ka mbështetur deklaratën e Ministrit të Brendshëm Dritan Demiraj për Policinë e Shtetit dhe është përpjekur të “shfajësojë” disi kryeministrin Edi Rama pas thirrjeve të tij nga Berati për policët.
Nga emisioni “Studio e Hapur” në News24, Majko tha se Rama e kaloi cakun, por se thirrja e tij kishte një konotacion familjar për policët.
“Rama e kaloi cakon. Nuk i heq asnjë presje deklaratës së ministrit. Por deklarata e Ramës kishte një konotacion tjetër, familjare”, tha Majko.
Pas këmbënguljes për një reagim më të fortë, Majko ka ironizuar: “Çfarë doni të them? Kjo është një dramë e madhe që po e krijon regjimi i Edi Ramës në Shqipëri. Merreni me detajet. Shikoni standardin, kur ministri jo i PS del dhe reagon. Politika po bën një fushatë më se të zakonshme”, deklaroi Majko.