Ministri për Diasporën, Pandeli Majko, ka folur me tone të ashpra ndaj deputetëve opozitarë këtë të hënë gjatë një interpelance në seancën plenare.
Majko tha se gjatë interpelancën nga ana e opozitës u thanë informacione të pavërteta. Ai u shpreh se arsyeja se pse emigrojnë shqiptarët janë të ndryshme, por një ndër to janë “janë budallallëqet që prodhohen nga politika” që sipas Majkos u prodhuan edhe gjatë seancës plenare të së hënës.
“Largohen njerëzit se kanë inat qeverinë. Njerëzit largohen për arsyet e tyre ekonomike. Çështja e emigracionit është një histori e cila nuk ka të bëjë vetëm me Shqipërinë, por nëse ka një arsye pse njerëzit po largohen përveç ekonomisë, janë budallallëqet që prodhohen nga politika, siç ndodhi sot në këtë interpelancë“, tha ai.
Majko akuzoi kryetarin e KQZ-së, Ilirjan Celibashi, se po dëmton kredibilitetin e zgjedhjeve të 25 Prillit, duke kërkuar konsensus nga opozita joparlamentare për zbatimin e votës së emigrantëve.
“Votimi i shtetasve jashtë vendit nuk ka asnjë problem ligjor për t’u zhvilluar në zgjedhjet e 25 prillit. Është plotësuar çdo angazhim ligjor nga ekzekutivi. Arsyetimi i KQZ-së se duhet pritur konsensusi i partive jashtë Kuvendit, është joligjor”, u shpreh Majko.