Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka zbuluar se makina e paraardhësit të tij Bledi Çuçit, ka pasur shumë gjoba të papaguara për shkelje të qarkullimit rrugor.
Me anë të një postimi, Balla shprehet se Policia e Shtetit ka lejuar akumulimin e gjobave të automjetit të Ministrit të Brendshëm, për këtë arsye thotë se u ka tërhequr vëmendjen efektivëve të Policisë.
Ai shton se “koha e të fortëve” në rrugë ka marrë fund, duke theksuar se as eskorta e kryeministrit Edi Rama nuk mund të shkelë rregullat e qarkullimit rrugor. Mesazhin e tij, Balla e mbyll duke rikujtuar se automjetet e ministrave dhe deputetëve nuk mund të shkelin rregullat.
“Sot i kam tërhequr vëmendjen strukturave të Policisë së Shtetit për lejimin e akumulimit të gjobave për shkeljet e rregullave të qarkullimit nga ana e automjetit të Ministrit të Brendshëm!
Standardi i vendosur nga kryeministri Rama qysh në ditën e parë të marrjes së detyrës nga ana e tij, ka qenë i qartë. Eskorta e kryeministrit e para dhe më pas të gjitha automjetet e tjera zyrtare të ministrave, deputetëve e me radhë, nuk mund të shkelin rregullat e qarkullimit përveçse në raste emergjencash të lidhura me detyrën. Ai standard i dha fund spektakleve prej të fortësh në rrugët e Tiranës mëngjes, drekë, darkë me sirena e me kapërcime semaforësh, të kategorive të lartpërmendura.
Është për të ardhur keq, sepse përveç të tjerash ministrat nuk i drejtojnë makinat vetë dhe s’ka pse emrat e tyre të përfliten nëpër portale apo tv (siç ndodhi sot me paraardhësin tim që sapo la detyrën) për shkak se Policia e Shtetit nuk ekzekuton vendimet e gjobave përkatëse!
Uroj që kjo kujtesë t’u shërbejë të gjithëve për të bërë detyrën e tyre sipas ligjit”, shkruan Balla.