Dy fotografitë që u bënë pjesë të listës së National Geographic “Fotografitë e vitit 2022” janë edhe dy nga Kosova.
Fotografia e parë është një makinë Lada e mbyllur në një “kuti” xhami si një memorial i heronjve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Me atë makinë udhëtonin Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu kur iu zu pritë dhe u vranë.
Më 31 janar të vitit 1997, rreth orës 14:30 në Pestovë të Vushtrrisë, në një pritë të organizuar nga forcat policore serbe u vranë Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu.
Tre strategët ishin duke udhëtuar nga Prishtina në drejtim të Vushtrrisë dhe vrasja e tyre bëri jehonë në të gjithë botën, jo vetëm në Kosovë.
Ajo çka nuk dihet akoma është se kush i tradhtoi 3 ushtarët dhe shpeshherë janë hedhur edhe dyshime për një dekonspirim të mundshëm nga vetë shokët e ushtarëve.
Më 31 janar 2008, në 11-vjetorin e rënies, presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu i akordoi Zahir Pajazitit dekoratën më të lartë shtetërore të Kosovës, Urdhrin Hero i Kosovës.
Pajaziti ishte njëri nga bashkëkrijuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ndërsa fotografia tjetër tregon një muzikant që përgatitet për shfaqjen inauguruese të Operës së Kosovës në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve.
Në galeri janë edhe fotografitë e tjera nga e gjithë bota që u bënë pjesë e listës së National Geographic.