Dy persona kanë humbur jetën në Berat si pasojë e një aksident në rrugë.
Policia njoftoi se një makinë u përplas me një mjet bujqësor, frezë dore. Në këtë të fundit ndodheshin tre persona. Burrë e grua, përkatësisht 81 dhe 77 vjeç dhe vajza e tyre, një 58-vjeçare.
Si pasojë e përplasjes, drejtuesi i mjetit bujqësor, Ahmet Kafazi dhe bashkëshortja e tij Salushe Kafazi kanë humbur jetën. Vajza e tyre Feruze Braushi ka mbetur e lënduar dhe ndodhet në spital, fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë policia ka shoqëruar në komisariat drejtuesin e makinës. Në vendin e ngjarjes ndodhet grupi hetimor që po punon për sqarimin e rrethanave dhe shkakut të aksidentit.
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 06:00 të mëngjesit në vendin e quajtur “Rruga e drejtë e Kuçovës”.