Aktualitet Makina përplaset me murin rrethues të varrezave, tragjedi për familjen shqiptare në...

Makina përplaset me murin rrethues të varrezave, tragjedi për familjen shqiptare në Itali

Dy të rinj humbën tragjikisht jetën mbrëmjen e së mërkurës në Itali në një aksident me makinë. Ngjarja e rëndë ndodhi në Montorio Romano, komunë në provincën e Romës. Viktimat janë dy të rinj të moshës 25 dhe 23 vjeç. Ata janë shqiptari Erik Vuka dhe Dante Cappai.

Sipas asaj që shkruajnë mediat italiane, aksidenti ndodhi mbrëmjen e 6 Janarit në zonën e varrezave, në veri të kryeqytetit.

Makina që drejtohej nga shqiptari Erik Vuka, doli nga rruga për shkaqe ende të paqarta, ndërkohë që ishte në dishezë. 25-vjeçari përfundoi në kahun e kundërt të rrugës dhe u përplas me murin rrethues të varrezave.

Miku i tij 23-vjeçar Dante Cappai vdiq në vendngjarje, ndërsa i riu shqiptar u nxor nga automjeti nga forcat zjarrfikëse. Ai u transportua në gjendje kritike në spital, ku ndërroi jetë pak kohë më vonë.

Vdekja e dy të rinjve ka tronditur familjarët, miqtë dhe mbarë komunitetin ku ata jetonin. Për ngjarjen e rëndë autoritetet italiane kanë nisur hetimet.

Eriku mësohet se jetonte në Montorio Romano, ndërsa miku i tij italian, punonte si shofer dhe jetonte në Nerola.