Del fotoja e “Audit” i cili i qëllua me breshëri plumbash, mbrëmjen e sotme në zonën e Astirit, në Tiranë.
Siç shihet edhe në foto, makina luksoze Audi A7 me targa AB008EM është bërë “shoshë” nga plumbat e shumtë që janë derdhur mbi të.
Erigers Mihasi 32 vjeç dhe Armand Dumani 26 vjeç ishin dy personat që ndodheshin brenda makinës dhe mbetën të vdekur pas të shtënave. Erigersi na qenë në timon në momentin që është qëlluar. Dy viktimat janë emra të njohur në botën e krimit. Erigers Mihasi, 32-vjeçari i vrarë njihet si mik i ngushtë i Ervis Martinajt, person i njohur edhe ky në botën e krimit.
Policia ka ngritur pika kontrolli në hyrje dhe dalje të qytetit të Tiranës. Autorët dyshohet se janë larguar në drejtim të ish-sheshit ‘Shqiponja’.
Si ndodhi ngjarja
Detaje të tjera janë zbuluar në lidhje me ngjarjen e rëndë që ndodhi mbrëmjen e sotme Tiranë. Mësohet se dy viktimat, ishin ulur në një bar kafe në zonën e “Astirit” dhe sapo janë ngritur kanë shkuar drejt parkimit ku kishin lënë makinën.
Sapo janë nisur për në rrugën kryesore, dy të rinjtë janë ndalur në semafor teksa kanë pritur të hapej jeshilja për të kaluar dhe ky ishte pikërisht momenti i tyre i fundit. Atentatorët kanë shfrytëzuar rastin dhe kanë qëlluar me breshëri plumbash drejt tyre.
Mihasi dhe Dumani kanë humbur jetën në vend, ndërsa makina ka ecur edhe disa metra në gjendje të lirë, ndërsa atentatorët janë larguar me shpejtësi drejt ish-sheshit ‘Shqiponja’ dhe kanë ecur në drejtim të autostradës Tiranë-Durrës, ku dhe kanë djegur mjetin e përdorur.