Automjetet luksoze që i janë sekuestruar anëtarëve të organizatave kriminale do të kalojnë në pronësi të Policisë së Shtetit dhe do të përdoren prej tyre.
Lajmin e ka dhënë ministri i Brendshëm Taulant Balla.
“Mjetet luksoze të cilat përdoreshin nga anëtarë të organizatave kriminale, të konfiskuara, apo edhe të sekuestruara, do t’i kalojnë Policisë së Shtetit për të përmbushur nevojat e saj. Mjetet e shpejta do të përdoren nga Policia Rrugore, ndërsa mjete të tjera do t’i kalojnë Repartit RENEA për operacionet e tyre”, tha ministri i Brendshëm.
Ndërkohë që prona të konfiskuara të krimit apo korrupsionit do të përdoren nga shteti për nevoja të caktuara dhe nuk do të nxirren në ankand.
“Mjete apo prona të paluajtshme të krimit apo korrupsionit, të konfiskuara, nuk do të nxirren më në shitje, për të parandaluar rikthimin e tyre tek të njëjtët, por do të përdoren për nevoja të shtetit”, thekson ministri Balla.