Sport Makineria perfekte, Haaland vendos rekorde, City në garë për tripletën

Makineria perfekte, Haaland vendos rekorde, City në garë për tripletën

Manchester City ëndërron fitimin e tre trofeve. Me Erling Haaland që vendos rekorde të një pas njëshme, skuadra e frikshme e Pep Guardiolës është kthyer në një makineri perfekte.

Ylli norvegjez shënon si askush në Premier League, të paktën prej periudhës kur liga angleze është organizuar me 20 skuadra. Me rrjetën që vulosi triumfin 4 me 1 ndaj Arsenalit, Haaland arriti kuotën e 33 golave në kampionat, duke thyer rekordin e Mohamed Salah, që në edicionin 2017-18 shënoi 32 gola me Liverpool.

Andrew Cole dhe Alan Shearer kanë shënuar të dy nga 34 gola në sezonet 1993-94 dhe 1994-95, por në kampionat me 22 ekipe. Megjithatë, Haaland ka edhe shtatë ndeshje për ta thelluar primatin historik në Premier League.

Numrave të norvegjezit i shtohen edhe 3 gola në FA Cup, 12 në tetë ndeshje të Champions dhe një rrjetë në Kupën e Ligës. Në total 49 gola në 43 ndeshje sezonale.

Shifrat e sulmuesit i japin garanci Manchester City dhe ushqejnë ëndrrat e tifozëve drejt lavdisë. “Qytetarët” kanë dy pikë më pak në kampionat se Arsenali kryesues, por kanë luajtur dy ndeshje më pak se londinezët.

Konfirmimi si kampionë të Anglisë duket një arritje mëse e mundur.

Manchester City beson te triumfi në Champions, pavarësisht duelit në gjysmëfinale me Realin e Madridit, e gjithashtu do të luajë finale e FA Cup kundër Manchester United. Makineria perfekte e Pep Guardiolës ëndërron fitimin e tre titujve madhorë në një sezon, diçka të cilën në Angli e ka realizuar vetëm Manchester United.