Ekonomi Malaj: Sektori privat i detyruar të ndjekë trendin rritës të pagave

Malaj: Sektori privat i detyruar të ndjekë trendin rritës të pagave

Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Petrit Malaj, gjatë konferencës së sotme për shtyp deklaroi se paga mesatare bruto në sektorin publik, në tremujorin e tretë të 2024-s arriti në rreth 968 euro apo 15% më shumë në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Malaj tha se reforma e ndërmarrë për pagat në vitet 2023-2024 solli pagë më të lartë në sistemin arsimor, shëndetësor, të sigurisë, rendit dhe mbrojtjes.

“Me reformën që ndërmorëm ne kemi siguruar një pagë më të lartë në sistemin arsimor, shëndetësor, të sigurisë, rendit dhe mbrojtjes.

Paga mesatarë mujore bruto që përfshin sektorin privat dhe publik, nga 45 mijë lekë që ishte në vitin 2013 është rritur në 77,6 mijë lekë për 3 mujorin e tretë të 2024-s. Rritja 2,3 herë më shumë.

Paga mesatare mujore në sektorin publik është rritur nga 52 mijë lekë që ishte në vitin 2013 në 96,850 lekë në tremujorin e tretë të 2024-s.

Në arsimin parauniversitar paga mesatare bruto arriti mbi 103 mijë lekë në muaj nga 62 mijë lekë që ishte në vitin 2013.

Për një mjek paga mesatare llogaritet 150 mijë lekë në muaj nga 70,590 lekë që ishte në 2013.

Për një infermier paga mesatare llogaritet 87 mijë lekë nga 40 mijë lekë që ishte në 2013.

Paga mesatare për punonjësit e policisë të arrijë në 106 mijë lekë, pa përfshirë përfitimet e tjera për ushqim dhe uniforma”.

Sipas tij, kjo reformë e rritjes së pagave në sektorin publik pati në efekt financiar prej 40 mld lekë apo 400 milionë euro.

“Rritja e pagave, po tërheq gjithnjë e më shumë fuqi punëtore, që mund të na ndihmojë në vijimësi në çështjet demografike.

Në këtë sfidë një rol të rëndësishëm ka edhe sipërmarrja private e cila do të duhet të reflektojë të njëjtat dinamike të rritjes së pagave, siç është bërë edhe në sektorin publik”.

Malaj tha se trendi rritës i pagave po reflektohet edhe në sektorin privat.

“Nëse do të bëjmë krahasim të 3-mujorit të tretë në 2024 me të njëjtën periudhë të 2023-t, pagat në sektorin privat janë rritur 5.3% . Edhe sektori privat do të jetë i detyruar të ndjekë trendin rritës, nëse do të duhet të jetë konkurrues në tregun e punës”, tha ai.

Ministri i Financave dhe Ekonomisë duke iu përgjigjur interesimit të gazetareve foli edhe për rezultatet e aksionit të informalitet që ka nisur prej muajit tetor. Sipas tij deri tani nga bizneset ka pasur reflektime pozitive për korrigjimin e deklaratave të pagave.

“Presioni pozitiv që po bën qeveria dhe lufta kundër informalitetit do të japin efekte pozitive. DPT ka operuar në 3 faza. Ka pasur një njoftim të parë dhe të dytë për ato që nuk kanë reflektuar pagën reale në listëpagesa. Subjektet që nuk reflektuan edhe pas njoftimit të dytë, po kontaktohen personalisht. Në përfundim të kësaj pritet të kemi rezultate. Por në tërësi bizneset kanë reaguar pozitivisht në këtë aksion”, tha Malaj.