Saoirse Kennedy Hill, mbesa e kandidatit të vrarë presidencial të SHBA-së Robert F Kennedy, është gjetur e vdekur të enjten pasdite në Kompleksin Kennedy.
Rrethanat e vdekjes mbeten ende të paqarta, por mediat amerikane shkruajnë se 22-vjeccarja ka vdekur si pasojë e një overdoze.
Përmes në deklarate, familja Kennedy ka konfirmuar vdekjen e Saoirse.
“Zemrat tona janë copëtuar nga humbja e Saoirse-s tonë të dashur, veçanërisht nëna e saj Courtney, babai i saj Paul, njerka e saj Stephanie dhe gjyshja e saj Ethel, bota është më pak e bukur sot. Ajo lindi për të jetuar dhe ishte shumë e dashur, u aktivizua me pasionin më të madh në mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe mbështetjen e grave, duke punuar me komunitete indigjene për të ndërtuar shkolla në Mexico City. Ne do ta duam atë dhe do ta kujtojmë gjithmonë”, thuhej në deklaratë.
Hill, 22 vjeç, ishte vajza e Paul Hill dhe Courtney Kennedy Hill, e pesta nga 11 fëmijët e Robert dhe Ethel Kennedy.
Dinastia Kennedy, është përballur me shumë ngjarje tragjike. Shumë nga ata që kanë vdekur, besohet të jenë prekur nga i ashtuquajturi “Mallkimi Kenedi”. Xhozef Kenedi dhe gruaja e tij Roza, patën një familje të madhe me nëntë fëmijë. Prej tyre, 4 vdiqën në moshë të re, dhe njëra u mbyll në çmendinë.
I çuditshëm është fakti, që viktimë e këtij “mallkimi” ranë jo vetëm fëmijët por edhe shumë nipër e mbesa. Por ashtu si me çdo teori, disa skeptikë besojnë se s’ka asnjë mallkim. Ata thonë se familja Kennedy është e madhe, dhe statistikisht një numër i konsiderueshëm i tyre, nuk janë përballur me ndonjë fatkeqësi.