Mallkimi për Neymar vazhdon. Janë afër zeros mundësitë që ta shohim në “Camp Nou”, të martën e ardhshme, në Champions, për atë që duhej të ishte sfida e tij e parë kundër ish-klubit të tij, Barcelonën. Braziliani rrezikon një ndalesë të gjatë, pas problemit në muskujt e kofshës, që e detyroi të braktiste fushën në Caen në Kupën e Francës. Një tip dëmtimi që mund ta mbajë jashtë deri katër javë, duke krijuar premisën e një tjetër ndalese para një ndeshjeje vendimtare për PSG-në.
Që nga transferimi i tij në vitin 2017, Neymar-it i është dashur të bëjë llogaritë me fatin e keq. Në sezonin e tij të parë në Paris, u detyrua të humbiste sfidën e 1/8 të kthimit të Champions League kundër Realit të Madridit, pasi u ndal nga një frakturë në këmbën e djathtë, të pësuar në një ndeshje me Marsejën, që i kushtoi mungesën në 16 javë kampionat. PSG, që ishte mundur edhe në takimin e parë me Neymarin në skuadër, u eliminua.
Vitin pasardhës, skenari u përsërit, por në Kupën e Francës, duke pësuar të njëjtin dëmtim në kockën e këmbës së djathtë. Braziliani u ndal për 3 muaj, duke humbur sërish 1/8 e Championsit, ku skuadra e tij humbi me Manchester United.
Edhe në vitin 2020, më 1 shkurt, Neymar pësoi një tjetër dëmtim, duke munguar për tri javë. Ia doli të kthehej këtë herë për 1/8 e Championsit kundër Borussias në Dortmund, një ndeshje që Paris Saint Germain e humbi, por ku një gol i tij mbajti hapur shanset për kualifikim, me ndeshjen që përfundoi 2-1. Pastaj pandemia përmbysi gjërat, duke shtyrë gjithçka për në verë. Me Neymarin në formë, PSG arriti për herë të parë deri në finalen e Championsit, diçka që të bën të kuptosh rëndësinë që ka braziliani për skuadrën.
Por tanimë Neymar rrezikon sërish, pasi u dëmtua ndaj Caen, në një ndeshje që e kishte nisur nga minuta e parë për herë të parë me shiritin e kapitenit, si për të demonstruar rolin prej lideri që ka fituar në prag të një rinovimi të kontratës dhe natyrisht të një sfide vendimtare me Barcelonën.
Në pritje të rezultateve të ekzaminimeve të mëtejshme mjekësore, gjithsesi në Paris janë pesimistë, pasi do të duhej një mrekulli për ta parë në “Camp Nou” pas pak ditësh. Sipas të gjitha gjasave, te PSG do të synojnë ta rikuperojnë për ndeshjen e kthimit, më 10 mars.