Shtatë persona janë arrestuar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, mes të cilëve policë e doganierë, për kalim kontrabandë të mallrave nga dogana e Qafë Thanës.
Në pranga kanë rënë inspektorët e policisë A.H. 43 vjeç dhe F.M. 38 vjeç, si dhe doganierët V.B. 53 vjeç dhe J.P. 45 vjeç. Gjithashtu janë arrestuar edhe 3 qytetarë, J.H. 37 vjeç, B. H. 38 vjeçe dhe F.G. 22 vjeç, të gjithë banues në Librazhd.
Këta të fundit kalonin me makina mallra kontrabandë në hyrje të Shqipërisë pa iu nënshtruar procedurave të zhdoganimit.
Për këtë gjë ndihmoheshin nga 2 policët dhe 2 doganierët kundrejt parave.
AMP thotë se është e provuar me pamje filmime që punonjësit e policisë së Pikës së Kalimit Kufitar Qafë Thanë në bashkëpunim me punonjësit e Doganës, me veprimet dhe mosveprimet e tyre, në kundërshtim me ligjin dhe kundrejt shpërblimeve në para, kanë favorizuar shtetasit e mësipërm në kalimin e mallrave kontrabandë pa kryer procedurën e zhdoganimit.
Në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar 3 automjete, 9 celularë, sasi vlerash monetare të përfituara në mënyrë të kundraligjshme nga aktiviteti i kontrabandës në ambientet e punës, sasi e konsiderueshme e mallrave ushqimorë dhe pijeve të ndryshme, si dhe mallra të tjera.