Dolores Aveiro, nëna e Cristiano Ronaldos, e “rikthen kasetën” dhe në mikrofonat e ADN Podcast Leão tregon takimin e parë me Lionel Messin në vitin 2017, gjatë dorëzimit të “Topit të Artë”. Nipi i saj, Cristianinho, ishte gjithashtu me të dhe djalin e saj, kur në një moment, nëna e CR7 bërtiti: “Shikoni, është Messi. Nipi i saj iu përgjigj: “Ai nuk është Messi”. Ja rrëfimi i mëtejshëm i nënës së Ronaldos: ”Pastaj, djali im e inkurajoi që t’i thoshte përshëndetje. Messi është një person shumë, shumë i mirë. Nipi im është tashmë më i gjatë se ai. Ai moment ishte shumë argëtues”.
“Para se të vdes, dua ta shoh Cristianon me fanellën e Sporting Lisbonës”
Dëshira më e madhe e Dolores është ta shohë përsëri djalin e saj me fanellën e Sporting Lisbona, çka nuk e ka fshehur kurrë. Edhe pse karta e identitetit thotë 36 vjeç, pavarësisht transferimit të fundit te Manchester United, zonja Aveiro nuk i humb shpresat: “Cristiano duhet të kthehet këtu, do të jetë këtu për mua. I pëlqen të shikojë ndeshje të Sporting. Unë tashmë i kam thënë: Bir, para se të vdes dua të të shoh të kthehesh te Sporting. Kujdes, ai paralajmëroi se të paktën do të luajë deri në moshën 40 vjeç. Ka kohë pra, për të ma plotësuar dëshirën”.
“Pa futboll do të ishte bërë murator”
CR7, para se të kthehej në “Old Trafford”, dukej një hap larg shkuarjes te Manchester City. Dolores, në këtë drejtim, shpjegoi: “Në televizion folën për Manchester City, por djali më tha: Mami, mos u shqetëso për atë që thonë, sepse unë do të shkoj te Manchester United. Unë i thashë që më pëlqente shumë me atë që bëri. Të shohësh stadiumin plot, me 75.000 njerëz, duke brohoritur emrin e tij ishte një emocion i madh”.
Te “Djajtë e Kuq”, ylli portugez mbërriti në një moshë shumë të re nga Sporting Lisbona, duke u bërë kampioni që të gjithë e vlerësojnë sot. Duke u kthyer në atë moment, 18 vite më parë, më 2003, Dolores zbulon: “Në fund të një ndeshjeje kundër Manchester United, ai më tha: Manchesteri është i interesuar për mua. Dhe unë isha mosbesuese: Çfarë thua? Kaq i ri? Cristiano m’u përgjigj: Mami, mos m’i prit krahët. Dhe ndodhi ashtu si deshi. Pa futboll, ai nuk ishte askushi. Ai do të ishte bërë murator”.