Për herë të parë në Shqipëri është shtruar në spital një fëmijë i infektuar me koronavirusin Covid-19. Lajmi është konfirmuar nga ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, e cila tha në studion e “Opinion” në Tv Klan se bëhet fjalë për një fëmijë 2 muajsh.
“Kemi një rast sot në fakt të një fëmije 2 muajsh që është shtruar në Spitalin Pediatrik në shërbimin e infektivit. Që i ka dhënë pasojë Covidi. Rasti i parë që kemi një fëmijë të shtruar në pediatrinë e QSUT që kërkon trajtim mjekësor së bashku me nënën e vetë”, u shpreh ministrja Manastarliu.
I pyetur nga Blendi Fevziu se çfarë rrezikon vendi ynë nëse situata nga pandemi përkeqësohet, Manastirliu tha se izolimi është përjashtuar si mundësi.
“Unë kam qenë në një mbledhje të gjatë të Komitetit Teknik të Ekspertëve ku kemi diskutuar të dhënat edhe se si do të shkojnë projeksionet në javët në vijim. Nuk vlerësohet që do të kemi, të paktën me projeksionet që ne vlerësojmë, të kthehemi në izolim apo në masa kufizuese. Por vlerësohet që do të jemi në të njëjtat trende të epidemisë”.
Të shtruar edhe të rinj me simptoma të rënda
Manastirliu deklaroi se në spitalin infektiv ka të shtruar edhe mosha të reja. Përveç kësaj ajo u shpreh se mes tyre ka edhe pacientë me simptoma të rënda pavarësisht se nuk kanë asnjë sëmundje tjetër bashkëshoqëruese.
“Ajo çfarë po shihet tani është se ka prekur edhe mosha të reja. Mosha mesatare e të prekurve është rreth 45 vjeç. Edhe të rinjtë janë të riskuar. Sipas raportimeve të shërbimit infektiv ka raste që pacientët nuk kanë patologji por kanë simptoma të rënda dhe janë të riskuar”, tha Manastirliu.
Ministrja u shpreh se tashmë jemi në javën e 5 pas rihapjes. Edhe pse prisnin rritje të rasteve, ministrja u shpreh se infektimet e ditëve të fundit i kanë kapërcyer parashikimet e tyre.
“Sot jemi në javën e 5 pas rihapjes së madhe. Ne prisnim që do të kishte një shtim të rasteve. Ka kapërcyer pak pritshmërinë tonë. Mendonim që do të kishim shumë më shumë zbatim të rregullave të distancimit social”, tha Manastirliu.