Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, deklaroi se situata epidemike është kritike dhe delikate.
Ajo tha se ka nisur tashmë zbatimi i strategjisë vjeshtë-dimër, ndërsa publikoi edhe shifrat e rritjes së virusit, që krahasuar me një muaj më parë rastet pozitive janë dyfishuar.
Manastirliu tha po ashtu se në Shqipëri rastet e infektimeve me Covid janë më së shumti familjare.
“Situata epidemike është kritike, delikate. I gjithë fokusi ynë në kuadër të zbatimit me përpikëmëri të strategjisë së vjeshtë-dimrit, qëllim kryesor mbetet kufizimi i përhapjes së infeksionit.
Situata në ditët e fundit është e kontrolluar, rritja e qëndrueshme e rasteve karakterizon javën që po mbyllim por krahasuar me muaj më parë kemi dyfishim të rasteve pozitive ditore.
Vihet re rritja e rasteve, por në vatra familjare. 67% e rasteve me Covid vijnë nga kontaktet familjare”,- tha ajo.
“Ka rëndësi që në momentin që je i dyshuar, ke qënë pjesë e kontaktit të një pozitivi duhet menjëherë izolimi. Lufta bëhet në disa fronte, por i pari është fronti individual”, shtoi ministrja.