Kryesore Manastirliu pas takimit masiv të Bashës në Durrës: Jam e tmerruar nga...

Manastirliu pas takimit masiv të Bashës në Durrës: Jam e tmerruar nga papërgjegjshmëria

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu deklaron se është e tmerruar nga pamjet e takimit masiv të kryedemokratit Lulzim Basha në Durrës.

Manastirliu thotë se kjo shfaqje ekstreme vjen në një kohë kur njerëzit më shumë se kurrë duhet të respektojnë rregullat e mbrojtjes.

Ajo i bën thirrje qytetarëve që të mos bien pre e kësaj papërgjegjshmërie të pajustifikueshme të Bashës dhe të mos i faturojnë vendin koston e papërballueshme të luftës për pushtet.

“Si ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale jam e tmerruar nga kjo shfaqje ekstreme papërgjegjshmërie, në kushtet e hapjes, kur më shumë se kurrë njerëzit duhet të respektojnë rregullat e mbrojtjes nga COVID-19, sepse ekspozimi është i madh!

Si mund të jepet kjo shfaqje dhe cili lider në botën e sotme jep këtë shembull thjesht për interesin e vet politik?!

Zoti Basha mund t’i thotë të tëra ato që ka për të thënë, pa vënë në rrezik shëndetin e njerëzve në këtë formë ekstreme papërgjegjshmërie. Numrat e rritur janë efekt i parashikuar i hapjes. Por kjo ngjeshje njerëzish për qëllimet e një njeriu mund t’i rrisë numrat përtej parashikimeve më negative dhe kostoja mund të bëhet marramendëse!

U bëj thirrje qytetarëve të mos bien pre e kësaj papërgjegjshmërie të pajustifikueshme dhe zotit Basha të mos i faturojë njerëzve e vendit, koston e papërballueshme të luftës së tij të dëshpëruar për pushtet!”, shkruan Manastirliu.