Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastriliu ka publikuar një mesazh të drejtuar mësuesve, nxënësve dhe prindërve të tyre në prag të fillimit të vitit shkollor, i ndikuar nga masat e ndërmarra kundër pandemisë.
“Periudha që po afron nuk do të jetë e lehtë dhe përveç forcimit të kapaciteteve të sistemit shëndetësor, për të cilat kemi marrë masa në planin e Vjeshtë-Dimrit, kërkon gjithashtu angazhimin e të gjithë qytetarëve, veçanërisht çdo prindi, për rolin e rëndësishëm që duhet të luajë secili prej nesh, për të frenuar përhapjen e Covid-19”, shprehet ministrja, që i bën apel prindërve të shndërrohen në “bashkëpunëtorët e parë me mjekun e familjes. Sinjalizojeni atë nëse ka diçka që shihni se nuk shkon te fëmija juaj. Matini çdo ditë temperaturën fëmijës para se të niset për në shkollë”.
Ministrja e Shëndetësisë siguron se strukturat e sistemit shëndetësor janë në gatishmëri për t’ju përgjigjur çdo problematike, si dhe për të identifikuar dhe izoluar në kohë çdo rast të dyshuar.