Aktualitet Manastirliu: Po vlerësojmë masat për periudhën e festave

Manastirliu: Po vlerësojmë masat për periudhën e festave

Para 12 muajsh qeveria shqiptare do të siguronte kontratën e parë prej 500 mijë dozash vaksine me kompaninë Pfizer, që do t’i hapte rrugë vaksinimit të popullsisë në Shqipëri, ndërsa sot qeveria ka siguruar 3 milion doza vaksine. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu në fjalën e saj në Kuvend tha se qeveria do të vijojë të garantojë vaksinimin anticovid për qytetarët.

“Dhjetorin e një viti më parë, pak kush e mendonte se pas vetëm 12 muajsh do të kishim siguruar plot 3 milionë doza vaksina. Për shumëkënd nuk është më lajm por më lejoni t’ju them se pak ditë më parë mbërritën mbi 100 mijë doza të vaksinës Pfizer, ndërsa priten së afërmi edhe 375 mijë doza vaksine përmes mbështetjes së Bashkimit Europian. Siç presim të kemi sasinë e parë të vaksinave Johnson &Johnson nga Covax së shpejti. Qeveria shqiptare ka siguruar gjithashtu një kontratë të re prej 1.5 mln dozash me kompaninë Pfizer dhe do të vijojmë edhe më tej furnizimin me vaksina te tjera”, tha Manastirliu.

Duke iu drejtuar skeptikëve të vaksinës, Manastirliu renditi disa fakte mbi rëndësinë e vaksinimit.

“10 herë më shumë mundësi për t’u infektuar kanë të pavaksinuarit krahasuar me të vaksinuarit. Është e dhënë e përllogaritur nga ekspertët e shëndetit publik, nga të dhënat e përditshme të infektimeve në vend. Mbi 90% e të shtruarve në spital janë të pavaksinuar. 2 dhe 3 herë më i ulët është numri i fataliteteve në kushtet e vaksinimit, duke krahasuar dy periudhat kulmore, siç ishte nëntori i vjetshëm dhe shkurti i këtij viti”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë tha se po vlerësohen masat për periudhën e festave: “Jemi para periudhës së festave kur padyshim presim te rriten shkëmbimet, ndërveprimet dhe është një situatë delikate për ecurinë e epidemisë në vend. Ndaj ekspertët tanë po vlerësojnë me shumë vëmendje situatën, për masat që do të nevojiten, të palëkundur nga misioni i punës sonë të përditshme, që është mbrojtja e jetës dhe shëndetit të qytetarëve”.

Duke folur për kapacitetet për përballimin e pandemisë, Ministrja Manastirliu tha se do të vijojë rritja e kapaciteteve, duke mundësuar rritjen e përgjigjes ndaj rasteve urgjente dhe kapaciteteve spitalore ku përmendi investimin e ri të spitalit infektiv për ta kthyer në një qendër ekselence të sëmundjeve infektive.

Prej fillimit të vaksinimit janë kryer 2,253,886 vaksinime. Mbi 1 milion qytetarë janë vaksinuar dy doza, ndërsa mbi 124 mijë kanë marrë dozën e tretë të vaksinës anticovid.