E ftuar në emisionin Përballë të gazetarit Lutfi Dervishi, ministrja e shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale Ogerta Manastirliu përgënjeshtroi lajmin e dorëheqjes së drejtorit të spitalit të Kavajës, Përparim Daiu.
“Fake news i fundit është dorëheqja e drejtorit të Kavajës i cili nuk është dorëhequr por përkundrazi vijon punën dhe kjo si bën mirë punës. Më shqetëson së është lidhur me disa po themi artikulime politike të opozitës për spitalin e Kavajës. Kjo krijon konfuzion. Drejtori i Kavajës është në krye të detyrës, duke bërë detyrën, duke u marrë me të gjitha punët në spitalin e Kavajes për t’i shërbyer qytetarëve të Kavajës si çdo ditë edhe këtë ditë. Ka dalë një lajm i cili është i pavërtetë”, tha Manastirliu.
Manastirliu tha se deri më sot Instituti i Shëndetit Publik ka testuar 13 persona të dyshuar për koronavirusin e ri.
“Janë 13 raste të testuara deri tani, për të cilat ISHP ka operuar gjithë protokollin. Rastet e para me historik udhëtimi me Kinën, pra janë raste të cilat janë ekzaminuar për historikun e udhëtimit dhe rastet me historik udhëtimi me Italinë. 5 raste janë të 24 orëve të fundit“.
Manastirliu tha se aktualisht Shqipëria konsiderohet vend me risk të ulët.
“Deri në momentin që do të vij rasti i parë me koronavirusin e ri, qëndrojmë në riskun mes të ultit dhe të moderuarit. Në rast se kemi një rast ne jemi me risk të moderuar i plotë. Nëse kemi rastin e parë atëherë shpallim epideminë. Rasti i parë për një ngjarje të pazakontë në shëndetin publik është rasti kur shpallet epidemia.”
Manastirliu shtoi se task forca e ngritur për koronavirusin ka parashikuar të gjithë skenarët.
“Edhe skenarin nëse do kemi rastin 1 edhe sikur të kemi 100 apo 200 raste të prekura me koronavirusin e ri. Ne dimë se si do të lëvizim në kohë dhe në hapësire. Shqipëria ka filluar marrjen e masave, qeveria ka vendosur në top prioritetet e saj planin e masave dhe angazhimin konkret për parandalimin kontrollin dhe mbrojtjen kundër koronavirusin e ri”.